Kina ratifikon marrëveshjen e Parisit për klimën

03/09/2016 00:00

Organi më i lartë legjislativ në Kinë ka ratifikuar marrëveshjen globale të klimës të arritur në Paris, ka njoftuar agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Vendi aziatik është i pari në botë sa i takon çlirimit të gazit CO2, që shkakton dhe ndryshimet e klimës. Kina por edhe Shtetet e Bashkuara pritet të njoftojnë së bashku ratifikimin në një samit dypalësh më vonë gjatë së shtunës.

Në marrëveshjen e arritur në dhjetor, vende nga gjithë bota ranë dakord për të reduktuar çlirimin e gazit serrë në atë nivel që ruan mesataren globale të rritjes së temperaturave.

Marrëveshja e Parisit është marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse mbi klimën, e cila do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga të paktën 55 vende, të cilat prodhojnë 55 për qind të gazit serrë në rang global.

Pas Kinës, vendi i dytë në botë për çlirimin e gazit janë Shtetet e Bashkuara. Deri tani marrëveshja është ratifikuar nga 23 vende, të cilat së bashku përbëjnë vetëm 1 për qind të emetimeve.

Top Channel