Rusi, aktivisti i opozitës arrestohet pas raportit kundër Putin

02/09/2016 00:00

Policia ruse ka ndaluar përkohësisht një nga figurat më të njohura të opozitës në vend, Ilya Yashin, pak ditë pasi ai kishte publikuar një raport ku flitej për një korrupsion në shkallë të gjerë të partisë së presidentit Putin, Rusia e Bashkuar.

Yashin, një anëtar i rëndësishëm i Lirisë së Popullit, u ndalua pasi kishte folur pikërisht në një tubim të kësaj partie në një nga rrugët kryesore të Moskës.

Fillimisht atij iu afrua një person i veshur civil, i shoqëruar nga një numër i madh policësh me uniformë, të cilët e morën nga krahët dhe e futën në një nga makinat e tyre.

Yashin u mbajt për disa orë në një komisariat policie, derisa fitoi lirinë, të cilën e njoftoi në profilin e tij në Twitter. “Akuzohem për pjesëmarrje të paligjshme në një tubim me votuesit”, njoftoi ai në rrjetin social.

E kontaktuar nga rrjeti informativ OCCRP, policia ruse refuzoi të komentonte lajmin. Pak ditë më parë, Yashin publikoi një raport prej 66 faqesh ku flitej për lidhje të thella korruptive mes partisë Rusia dhe Bashkuar dhe krimit të organizuar.

Top Channel