Bilanci i energjisë, INSTAT: Rritet prodhimi, ulen humbjet

01/09/2016 00:00

Prodhimi vendas i energjisë u rrit me 8.2 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit, falë ecurisë pozitive nga hidrocentralet private. Instituti i Statistikave raportoi se rritja e prodhimit ka bërë të mundur që Shqipëria të kthehet në eksportuese neto e energjisë elektrike.

Sipas të dhënave, në gjashtëmujorin e parë të vitit, vendi eksportoi dy herë më shumë energji nga sa ka importuar.

Por veç prodhimit, sistemi energjetik ka shënuar përmirësim edhe në treguesit e tjerë, veçanërisht ato të shpërndarjes. Humbjet në rrjet u ulën me 11.1 për qind, falë përmirësimit në administrimin e Operatorit të Shpërndarjes.

Sipas INSTAT, treguesi i humbjeve u përmirësua në të dy kategoritë, si ato teknike, të cilat janë ulur falë investimeve të reja në rrjet, ashtu dhe humbjet joteknike për shkak të reduktimit të vjedhjeve.

Top Channel