Sa jemi e ku jemi? Kritika e Ramës: Shqiptarët nëpër botë pa adresa

01/09/2016 00:00

Qeveria nuk e di sesa shqiptarë jetojnë jashtë vendit dhe as ku ndodhen ata. Këtë fakt e ka deklaruar vetë kryeministri Edi Rama, i cili pranoi se Qeveria dëshiron që shqiptarët të votojnë, por nuk ka asnjë adresë të saktë për vendndodhjen e tyre.

“Ne  prej një viti kemi filluar një projekt që edhe emrin e ka shumë kuptimlotë, por tronditës “popullimi”. Ppopullimi i regjistrit tonë të të dhënave me të dhënat e shqiptarëve kudo që jetojnë. Për t’ju dhënë mundësi që ata të jenë pjesëmarres në jetën politike sepse duam që shqiptarët të votojnë, por kjo është një fjalë goje për tu thënë, por është një e drejtë e tërë për t’u kapërcyer nga pikëpmaja teknike. Për ti dhënë mundësive të votojnë duke shfrytëzojnë postën e shpejtë, atëherë duhet që posta e shpejtë të dijë ku janë dhe që posta e shpejtë të dijë ku janë duhet ta dimë ne ku janë”, deklaroi Kryeministri.

Edi Rama foli edhe për samitin e parë të Diasporës, i cili pritet që të zhvillohet në Tiranë kur tha se Qeveria do të jetë partnere e këtij samiti, por jo diktuese dhe se prej tij do të ketë përfitime politike.  Kreu i qeverisë foli me tone kritike edhe për gjendjen e shkencës sot në vend, që sipas tij lë për të dëshiruar.

“Akademia e Shkencave sot në Shqipëri është pamja më kuptimplotë e rrënimit të të gjithë sistemit të të bërit shkencë në Shqipëri. Mjafton të parafytyrojmë për një moment sikur Eqerem Çabej të ngjallej dhe të bënte një vizitë në Akademinë e Shkencave, besoj që askush nuk ka guximin të thotë që do mahnitej me progresin e bërë që pas vdekjes së tij”, tha ai.

Por për akademikun Salvator Bushati, Akademia e Shkencave po bën aq sa mundet në kushtet kur nuk ka institute apo qendra kërkimore shkencore.

“Faleminderit kryeministrit që shqetësohet për kërkimin shkencor. Nuk hyhet në Bashkimin Europian pa kërkim shkencor dhe pa inovacion. Kërkimi shkencor nuk u takon vetëm disa akademikëve dhe njerëzve me mjekër, por të gjithëve. Edhe në kushtet e sotme, Akademia e Shkencave ka arritur të bëjë një punë të madhe duke përfshirë talentet e reja”, deklaroi akademiku Salvator Bushati.
Për akademikun Bushati, ashtu sic puna e kërkuesve shkencorë nuk ka kufi, edhe fondet për zhvillimin e këtij sistemi nuk duhet të kenë të tilla.

“Ka disa probleme. Kur fondet mungojnë, duhet të shfrytëzojmë ato që kemi në mënyrë racionale. Kemi shumë reforma, shumë strategji por këto strategji duan menaxhim. S’mund të realizohen vetëm në letra por duhen njerëz që dina ta drejtojnë kërkimin shkencor për të shkuar aty ku duhet. Sa më tepër fonde të japi qeveria, aq më mirë është”.

Top Channel