Selena Gomez braktis turin e saj muzikor

31/08/2016 00:00

Selena Gomez duket se ka ndërprerë përkohësisht karrierën muzikore, për shkak se vuan nga ankthi, depresioni dhe situatat e panikut.

Përmes një deklarate, këngëtarja e njohur ka njoftuar mbi problemet shëndetësore psikologjike që po kalon, të cilat vijnë si efekte anësore të sëmundjes “lupus” që e ka prekur atë. Vitin e kaluar, ajo kishte njoftuar se kishte nisur trajtimin për këtë sëmundje, e cila prek kryesisht sistemin imunitar të trupit.

Ylli 24-vjeçar ka kërkuar kohë për t’u përballur me problemet shëndetësore, ndaj dhe nuk mund të vijojë më me turet e saj muzikore.

Duke folur për “toofab”, ajo është shprehur se “siç edhe e dini, një vit më parë zbulova se vuaja nga Lupusi, një sëmundje që prek njerëzit në mënyra të ndryshme. Kam zbuluar se ankthi, gjendja e panikut dhe depresioni janë efekte anësore të kësaj sëmundjeje, të cilat kanë edhe ato sfidat e tyre me të cilat duhet të përballem. Dua të jem proaktive dhe të fokusohem në ruajtjen e shëndetit tim, ndaj dhe kam vendosur që mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke marrë disa pushime…ndoshta edhe të gjata”.

Ajo ka falënderuar të gjithë fansat e saj anembanë botës për mbështetjen që i kanë dhënë. “Ju e dini, jeni specialë për mua, por më duhet të bëj gjithçka të mundshme për të mirën time. E di që nuk jam e vetme teksa njoftoj këtë. Shpresoj që edhe të tjerë njerëz të marrin kurajon për t’u përballur me problemet e tyre”.

Ende nuk dihet se për sa kohë pushim bëhet fjalë, por Selena Gomez ndodhej në mesin e turit të saj botëror “Revival”, data të tëra të të cilit ishin në prag përfshi edhe ndalesën në Britani gjatë muajit tetor. Për momentin nuk ka ende një njoftim zyrtar të anulimit të datave të mbetura të këtij turi, por sigurisht pritet që diçka e tillë të ndodhë pas asaj që ka deklaruar vet këngëtarja.

Top Channel