Shehu: Infrastruktura dhe turizmi, prioritet për zhvillimin

29/08/2016 00:00

Kandidati i PD për Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu, i shoqëruar nga deputetët Arben Imami dhe Gent Strazimiri, u takua me banorë të Lurës.

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe zhvillimi i turizmit ishin prioritetet e shpalosura nga zoti Shehu, i cili premtoi se punimet në këto drejtime do të nisin që vitin e parë të mandatit.

Ndërsa në planin afatgjatë, Shehu tha se zhvillimi do të bëhet i planifikuar dhe për këtë do të hartohet një plan urban i posaçëm.

“Që të vijnë investitorët këtu, në radhë të parë duhet rruga. Rruga  që vjen nga Rrësheni dhe rruga nga Përlati ju garantoj që do të fillojë brenda vitit. Dhe ju garantoj që vitin tjetër deri në hyrje të urës së Lushës, siç i themi ne, do të fillojë asfaltimi dhe gradualisht edhe në krahun e Dibrës do të fillojë lidhja me asfaltin. Do të ketë një plan të zhvillimit urban”, deklaroi Shehu.

Krahas infrastrukturës, Shehu theksoi se ka nisur diskutimet me institucione ndërkombëtare për të investuar në shtëpitë karakteristike të Lurës, për t’i kthyer në destinacione mikpritëse për turistët.

“Lura ka edhe traditën familjare, kështu që këto kulla meritojnë që të jenë mikpritëse. Unë kam vënë kontaktet që tani me Agjencinë Gjermane për Zhvillim, ajo ka një program për turizmin familjar që ka filluar nga zona e Korabit dhe do ta sjellim edhe këtu në Lurë. Turizmi theksoi është një mundësi e mirë për zhvillimin e zonës dhe punësimin”, tha Shehu.

Top Channel