Obama krijon zonën e mbrojtur detare më të madhe në botë

26/08/2016 00:00

Përpara se të mbarojë mandatin presidencial, Barack Obama ka vendosur të krijojë zonën e mbrojtur detare më të madhe në botë.

Projekti ishte nisur nga ish-presidenti George Bush në vitin 2006, por tani Obama ka vendosur të katërfishojë madhësinë e zonës.

Monumenti kombëtar i marinës do të jetë dyfish më i madh sesa shteti i Teksasit. Javën e ardhshme pritet që presidenti të udhëtojë drejt Hauait për të folur rreth nevojës së marrjes së të tilla vendimeve në kuadër të ndryshimit të klimës.

Me masat e reja Obama do të ndalojë peshkimin brenda kësaj zone. Peshkimi do të lejohet vetëm me leje, si pjesë e projekteve për hulumtime shkencore apo të tjera praktika kulturore të Hauait. Por disa grupe peshkatarësh janë shprehur të shqetësuar për kufizimin në industrinë e tyre.

Sean Martin, kryetari i njërës prej këtyre grupeve tha se ai ishte i zhgënjyer me vendimin, i cili sipas tij është i bazuar në arsye politike dhe jo shkencore.

Flota e peshkimit “Longline” furnizon pjesën më të madhe të Hauait me peshk. Por, Shtëpia e Bardhë duket se nuk i ka marrë parasysh këto ankesa dhe thotë se zgjerimi i zonës së mbrojtur do të përmirësojë qëndrueshmërinë e ekosistemit dhe do të mbrojë më shumë se 7000 specie detare.

Top Channel