Dibra, kandidati i PS në Melan: Do rindërtojmë infrastrukturën

25/08/2016 00:00

Njësia administrative e Melanit dhe fshatrat e tij ishin ndalesa e radhës e kandidatit të së majtës për Bashkinë e Dibrës, Muharrem Rama.

Edhe në këtë takim, kandidati shoqërohej nga koordinatori i kryesisë së Partisë Socialiste për qarkun e Dibrës, Damian Gjiknuri.

Gjatë takimeve me elektoratin, Rama premtoi përfundimin e rrugës në fshatin Pjekë, rregullimin e qendrës shëndetësore me një projekt izraelit, si dhe rikonstruksionin e shkollës.

“Do të sistemojmë kanalet vaditëse dhe ato të ujërave të zeza. Do të zgjidhim problemin e transportit të fëmijëve të shkollës 8-vjeçare duke vendosur një mjet lëvizjeje për fshatrat. Do të bëjmë lidhjen e rrjetit infrastrukturor. Do të sistemojmë rrugën e Ilnicës, duke pasur edhe prioritet turizmin malor dhe zbutjen e varfërisë në atë zonë. Në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë do të ngremë një pikë për grumbullimin e frutave. Këto janë premtime të vogla, por më mirë t’ju japim premtime të vogla dhe t’i realizojmë”, theksoi kandidati Rama.

Nga ana tjetër, koordinatori i PS për qarkun e Dibrës, Damian Gjiknuri deklaroi se përtej fjalëve boshe e premtimeve të mëdha të kandidatit kundërshtar të Ramës, nuk duhet harruar se bashkia është dera e parë ku trokasin njerëzit.

Top Channel