Hysaj arrin akordin për rinovim me Napolin

24/08/2016 00:00

Më në fund Elseid Hysaj dhe drejtuesit e Napolit duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës së mbrojtësit shqiptar.

Mario Giuffredi, agjenti i lojtarit, ka konfirmuar arritjen e akordit mes palëve dhe tashmë sipas tij mbetet vetëm hedhja e firmës.

Në një intervistë dhënë për radiot lokale, përfaqësuesi i lojtarit të lindur në Shkodër, thekson: “Kemi arritur një marrëveshje për rinovimin dhe tashmë presim vetëm firmën. Duam që kjo gjë të finalizohet përpara ndeshjes me Milanin. Në kontratë do të jetë edhe një klauzolë që do ta bëjë të ditur vetë klubi”, thekson agjenti italian.

Termat e kontratës së re që do ta lidhë mbrojtësin shqiptar me skuadrën e kaltër nuk janë bërë të ditur ende, por paga e tij do të rritet ndjeshëm krahasuar me atë çka përfundoi në sezonin e shkuar pasi Hysaj arriti të fitonte besimin e trajnerit Sarri duke i rrëmbyer vendin e titullarit mbrojtësit italian Maggio.

Gjatë merkatose së verës pati zëra të shumta për transferimin e Elseid Hysaj nga Napoli. Për të shfaqën interes Arsenal, Bajerni apo edhe Barcelona, por në fund duket se lojtari do të mbetet pjesë e Napolit dhe tashmë me një kontratë të re.

Top Channel