Joe Biden në vendet balltike, premton mbrojtje përballë Rusisë

23/08/2016 00:00

Zëvendës presidenti amerikan Joe Biden konfirmoi edhe njëherë partneritetin dhe mbështetjen e SHBA për vendet baltike dhe NATO-s gjatë një vizite zyrtare ne Letoni.

Biden deklaroi nga Riga se një sulm ndaj çdo vendi anëtar të aleancës, konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve.

“Shqetësimi i ngritur se Shtetet e Bashkuara po shkëputen disi nuk është i vërtetë. E vërteta është se prania jonë do të rritet dhe fakti është se  do të ketë më shumë partnerë të NATO-s në kufirin me Rusinë. Ne jemi absolutisht 100 përqind të vendosur në angazhimet tona të NATO-s përfshi veçanërisht Nenin 5.

Po ashtu zëvendës presidenti amerikan, u kërkoi aleatëve që të mos ia vënë veshin  komenteve të kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, i cili më herët ka deklaruar se lidhja e vendit të tij me NATO-n mund të shkëputet një dite nëse shtetet anëtare nuk do t’i përmbushin detyrimet e tyre financiare ndaj aleancës.

“Fakti se ju dëgjuat rastësisht diçka nga kandidati presidencial i partisë tjetër, nuk do të thotë se duhet ta merrni seriozisht sepse nuk besoj se ai merr vesh nga NATO.

Në takimin e muajit korrik aleanca e Atlantikut të Veriut ra dakord të dislokojë forcat ushtarake në shtetet e Baltikut dhe lindje të Polonisë dhe njëkohësisht vendosi rritjen e numrit të patrullimeve ajrore dhe detare ne rajon. Biden e rikonfirmoi këtë angazhim.

Presidenti i Letonisë Raimond Vejonis e cilësoi vizitën e zv/presidentit amerikan si një dite të shënuar për vendin dhe partnerët baltikë.

Top Channel