Dibra, Shehu: Prioriteti im, investimet dhe familjet e varfëra

20/08/2016 00:00

Kandidati i opozitës për Dibrën, Sherefedin Shehu takoi në kuadër të fushatës së tij banorë të Kalasë së Dodës, të cilëve u premtoi se prioritet i punës së tij do të jenë investimet në rrugë dhe në bujqësi.

Në fjalën e tij, Shehu tha se Dibra në këto vite të qeverisë Rama lëngon nga varfëria dhe është lënë në harresë.

“Asnjë premtim nuk ka mbajtur Edi Rama. Përkundrazi, ai rriti taksat dhe çmimin e energjisë elektrike. Me dhjetëra familje janë sot në errësirë sepse s’paguajnë dot faturat”, tha Shehu, i cili theksoi se edhe papunësia është rritur.

Ish-deputeti demokrat tha se Dibra është një nga zonat me pasuritë dhe burimet më të mëdha natyrore në vend, por që sot ka nevojë për një dorë të fortë drejtimi, vizion dhe vullnet për të punuar.

“Nuk ka subvecione në fshat, nuk ka as tregje të reja, pasi paratë nuk shkojnë tek fermerët, por tek njerëz pranë klaneve të qeverisë. Nuk jepen fonde për ndërtime rrugësh, ujësjellësa, shkolla apo qendra shëndetësore, sepse qeveria i harxhon paratë e taksave për luksin e zyrave dhe për pushimet luksoze të qeveritarëve”, vijoi Shehu.

Ai shtoi se, prioritet i punës së tij do të jetë mbështetja për familjet e varfëra dhe premtoi se, me reformat e bashkisë së re Dibra do të kthehet në një potencial konkurrues në rajon sa i takon turizmit malor, që do të hapë edhe vende pune.

Top Channel