Burgjet siriane, AI: Mijëra viktima nga torturat

18/08/2016 00:00

Thuajse 18 000 persona vdiqën në burgjet siriane prej vitit 2011 deri më 2015, si pasojë e rrahjeve dhe torturave. Ky është rezultati i një raporti të Amnesty International, e cila thotë se kreu intervista me 65 të mbijetuar të burgjeve siriane, të cilët përshkruan abuzime tronditëse në burgje dhe qendra ndalimi.

Ky grup për të drejtat e njeriut, pas publikimit të raportit, nxiti komunitetin ndërkombëtar që t’i bëjë presion Damaskut të heqë dorë nga përdorimi i torturës. Qeveria siriane i ka mohuar gjithnjë këto akuza dhe thotë se nuk keqtrajton të burgosurit. Por, sipas Amnesty International, të paktën 17 723 njerëz vidën në burgjet siriane prej marsit të vitit 2011, kur nisi revolta ndaj presidentit Bashar al-Asad, deri më dhjetor të vitit 2015. Bëhet fjalë për 10 viktima në ditë, ose 300 në muaj.

Amnesty shkruan se shpesh të burgosurit rriheshin dhunshëm sapo mbërrinin në burg dhe kjo praktikë kishte marrë nofkën “festa e mikpritjes”. Rrahja pasohej nga kontrolle sigurie, gjatë të cilave shumë të burgosura femra raportuan abuzime seksuale dhe përdhunime. Të mbijetuarit e burgjeve thonë se ky ishte vetëm fillimi dhe pasohej nga tortura nga më të ndryshmet ndaj atyre që perceptoheshin si armiq të regjimit.

Amnesty International thotë se regjimi sirian ka përdorur torturën prej dekadash ndaj kundërshtarëve, por tashmë gjatë luftës civile, ajo është shndërruar në një praktikë të zakonshme. Amensty dhe grupe të tjera për të drejtat e njeriut thonë se këto akuza duhen shqyrtuar me urgjencë nga komuniteti ndërkombëtar, në veçanti SHBA dhe Rusia që udhëheqin bisedimet e paqes për Sirinë.

Por ekspertët, pa i hequr asnjë meritë raportit të Amnesty International, thonë se ndërsa me dhjetëra njerëz vdesin përditë në rrugët e Sirisë nga luftime, zor se do t’i kushtohet ende vëmendje burgjeve, sado dramatike qoftë situata atje.

Qeveri siriane gjatë luftës civile është akuzuar për shkelje shumë më të rënda sesa torturat në burgje, por ende asgjë s’është bërë për to dhe ndërsa lufta vazhdon, regjimi i Asadit ka lirinë e plotë të bëjë ç’ të dojë me justifikimin e mbrojtjes së vendit.

Top Channel