‘Peshkaqeni’ Phelps konfirmon tërheqjen

16/08/2016 00:00

Majkëll Felps hyri në historinë e Lojërave Olimpike pasi bëhet sportisti që ka fituar më shumë medalje në historinë e kësaj ngjarjeje të madhe sportive. Në Rio De Janeiro, amerikani arriti të fitojë 6 medalje, 5 të arta dhe 1 të argjendtë dhe tashmë për të duket se ka ardhur koha që t’i thotë përfundimisht lamtumirën sportit të notit.

Në një intervistë në Kopakabana, Felps deklaroi se tashmë ai është gati që të ndërmarrë këtë hap. Amerikani e deklaroi tërheqjen nga sporti edhe në 2012, por në fund vendosi që të rikthehej për t’u shpërblyer në Lojërat Olimpike të Brazilit.

“Për mua të shoh të shpërblehem pas një pune të madhe 2-vjecare, është një ëndërr e bërë realitet. Jjam shumë i kënaqur që iu riktheva garave, por tani ka ardhur koha që të tërhiqem përfundimisht”, tha ai.
Majkëll Felps në karrierën e tij ka fituar 23 medalje të arta, e fundit ishte ajo në stafetën 4×100 m stil i përzier në Rio, që konsiderohet edhe si gara e tij e lamtumirës.

Në total, Felps ka 28 medalje të fituara pasi medaljeve të arta u shtohen edhe 3 të argjendta e 2 të bronzta. Një rezultat ky që vështirë të kalohet duke parë në vendi i dytë mbahet nga ish-gjimnastja Larisa Latinina me 18 medalje olimpike.

Top Channel