Vdekja e shqiptarit në Greqi, MPJ: Po ndjekim rastin

15/08/2016 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se ka ndjekur hap pas hapi nëpërmjet të gjitha kanaleve zyrtare rastin e humbjes së jetës së shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikolaj në një rajon policie të Athinës.

Kjo ministri shprehet se përmes Ambasadës në Greqi ka kërkuar nga pala greke bashkëpunimin e menjëhershëm dhe maksimal të të gjitha organeve ligjzbatuese dhe nga kontaktet e deritanishme me autoritetet greke, bëhet e ditur se ekzistojnë pamjet filmike të ngjarjes, si dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore.

“Ministria e Punëve të Jashtme do të vijojë të ndjekë me vëmendje të veçantë rastin dhe kërkon nga autoritetet greke kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Tirana thotë se mbetet në pritje të rezultateve paraprake të hetimit të autoriteteve greke, duke rezervuar të gjitha të drejtat për trajtimin e mëtejshëm të rastit.

“Ambasada jonë në Athinë do të ndjekë në vijimësi këtë çështje në çdo instancë dhe do të vijojë t’i gjendet pranë të afërmve të viktimës. Deri në zbardhjen e plotë të situatës, MPJ fton të respektohet dhimbja e familjareve dhe të mos instrumentalizohet politikisht kjo ngjarje”, shtohet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Top Channel