Kopshti zoologjik, një destiancon që ka nisur të ndryshojë

15/08/2016 00:00

Një oaz qetësie, larg ambjenteve të zhurmshme të kryeqytetit për të kaluar jo vetëm disa orë në freskinë e gjelbërimit, por edhe për të parë nga afër kafshë të egra e të buta.

Në mars të vitit 2015 Kopshti Zoologjik në Tiranë u mbyll për rreth gjashtë muaj për shkak të kushteve të vështira në të cilat ndodhej dhe pamundësive për të pritur vizitorë.

Pas rreth një viti punimesh, situata shfaqet dukshëm e ndryshuar, ndërsa kopshti gradualisht po merr një pamje të re.

Një shtëpizë e re për lepujt, heqja e kafazëve të kafshëve dhe një mur mbrojtës për sigurimin e fëmijëve nga rreziku i rënies në basen janë disa nga ndërhyrjet, krahas stolave që shoqërojnë rrugicën kryesore të kopshtit.

Dy arinjtë Roki dhe Smoku janë banorët më të rinj të kopshtit prej 6 hektarësh, krahas lamave, arinjve, strucëve, rosave dhe kafshëve të tjera.

Drejtuesit thonë se ende ka shumë punë për të bërë për përmirësimin e kushteve dhe shtimin e numrit të kafshëve. Teksa pritet një projekt i ri i restaurimi, po punohet që rrugicat të kenë ndriçim dhe kosha, deri në startin e projektit të ri.

Top Channel