Droga, Alibeaj: Raporti italo-gjerman konfirmon denoncimet e opozitës

15/08/2016 00:00

Kryetari i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar këtë të hënë se, raporti sekret i shërbimeve italiane dhe gjermane, i publikuar në media, konfirmon denoncimet e përditshme të Partisë Demokratike.

Gjithashtu, “ai thekson se njerëzit e Edi Ramës në Policinë e Shtetit janë menaxherët e kanabisit dhe vjelin taksën 30 përqind për cdo rrënjë të mbjellë”, ka thënë Alibeaj.

Ai ka theksuar se, “raporti sekret dëshmon se e gjithë Shqipëria është kthyer në fermën e madhe të hashashit të Edi Ramës”.

“Sepse edhe Edi Rama ka braktisur detyrën dhe ka prioritet vetëm plantacionet me drogë. Kanabizimi i vendit po mbyt ekonominë e ndershme, po shfrytëzon burimet dhe asetet e vendit dhe po sjell krime e vrasje”, ka vijuar ish-ministri i Drejtësisë.

Sipas tij, “nga ky biznes kriminal përfitojnë vetëm bandat, drejtuesit e Edi Ramës në polici dhe sigurisht vetë ai, në krye të skemës së 30 përqindëshit”.

“Kjo nuk është zgjedhja e shqiptarëve. Shqiptarët nuk duan drogë, por punë të ndershme e siguri për familjet e tyre. Qytetarët do ta heqin këtë zgjedhë të bandave të drogës me Edi Ramën në krye. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Alibeaj.

Top Channel