Vritet krimineli në SHBA, shpërthejnë sërish protesta të dhunshme

14/08/2016 00:00

Nuk ka rëndësi përse policia amerikane hap zjarr, pasi tashmë, episode të tilla shoqërohen gjithnjë nga protesta. Dhuna shpërtheu edhe në qytetin Milwaukee, pasi agjentët e policisë qëlluan dhe vranë një 23-vjeçar të armatosur, pas një ndjekjeje të rrezikshme.

Mësohet se viktima ia mbathi nga makina e tij, pasi u ndalua nga policia, dhe shkëmbeu zjarr me agjentët, të cilët iu përgjigjën krismave duke e lënë atë të vrarë. Por vdekja e tij nuk është pranuar nga një pjesë e komunitetit, ndaj dhe dhjetëra njerëz morën pjesë në një protestë, që degjeneroi në dhunë.

Protestuesit sulmuan policinë me mjete rrethanore, si gurë dhe shishe, por edhe armë zjarri, ndërsa i vunë flakën disa ndërtesave, mes të cilave një stacion karburanti. Policia amerikane, ndërkohë, nuk ka bërë të ditur origjinën etnike të viktimës apo të oficerit që e vrau, por deklaroi se i dyshuari që kishte vjedhur një armë zjarri kishte dosje penale.

Por kjo nuk i ndaloi protestuesit e shumtë, që sulmuan policinë dhe shkaktuan kaos në qytet. Raportohet se gjatë orëve të para të protestës, zjarrfikësit nuk mund të ndërhynin për të fikur flakët në ndërtesat që po digjeshin, për shkak të të shtënave që vinin nga turma.

Analistët thonë se protestat kundër policisë tashmë janë bërë një trend i zakonshëm në SHBA, ku ndërhyrjet e agjentëve konsiderohen gjithnjë të padrejta, apo teper të dhunshme, pavarësisht situatës. Sipas ekspërtëve, një pjesë e mirë e komunitetit në SHBA i konsideron policët thuasje si armiq, ndaj dhe kjo pikëpamje duhet ndryshuar, përpara se të rikthehet besimi te forcat e rendit.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel