Gjermani, partia antiemigracion: Azilkërkuesit, në ishuj jashtë Europës

14/08/2016 00:00

Frauke Petry, udhëheqësja e partisë së djathtë gjermane “Alternativa për Gjermaninë”, bëri thirrje që emigrantëve, të cilëve u refuzohet azili, të dërgohen në ishuj jashtë Europës.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, Petry tha se Zyra gjermane për Refugjatët duhet shndërruar në një Byro Emigracioni. Sipas medieve gjermane, ajo e kishte fjalën për ishujt e Paqësorit Surua dhe Manus, që përdoren nga Australia si kampe azilkërkuesish.

Partia e saj antiemigracion ka fituar mbështetje të madhe, ndërsa në vend përkeqësohet kriza e emigrantëve. Mesazhi i saj euroskeptik dhe antiemigracion, sipas sondazheve e ka çuar këtë parti në vendin e tretë, pas dy formacioneve që janë në qeverinë e koalicionit.

“Emigrantët e jashtëligjshëm dhe azilkëruesit, të cilëve u është refuzar kërkesa për azil, do të strehohen në dy ishuj jashtë Europës që mbrohen nga Kombet e Bashkuara”, deklaroi Frauke Petry, por pa përmendur me emër ishujt.

Nauru dhe Manus, të cilët mendohet se janë ideja e saj, gjenden mbi 13 mijë km larg Gjermanisë. Petry tha gjithashtu se Zyra gjermane për Refugjatët, e cila është sforcuar ndjeshëm gjatë krizës së emigrantëve, duhet të shndërrohet në një zyrë për emigrimin, që të largojë nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur që të gjithë emigrantët ilegalë.

Partia “Alternativa për Gjermaninë” ka shkaktuar mjaft debate me komentet e saj, mes të cilave edhe ajo që “në Gjermani nuk ka vend për Islamin”.

Top Channel