Rusia akuzon Ukrainën: Operacione sabotimi në Krime

10/08/2016 00:00

Autoritetet ruse kanë akuzuar Ukrainën se është përpjekur të kryejë operacione ushtarake në Krime, territori i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Agjencia ruse e inteligjencës FSB ka deklaruar se, përpjekjet për sulme të armatosura janë verifikuar gjatë fundjavës dhe një ushtar rus dhe një agjent kanë mbetur të vrarë.

Presidenti Vladimir Putin deklaroi më herët se Ukraina është angazhuar në një sërë veprimesh “idiote e kriminale” dhe paralajmëroi se Rusia do të marrë “masa të mëtejshme sigurie” në Krime.

Nga ana e tij, Kievi zyrtar i ka hedhur poshtë akuzat. “Ky është një informacion i rremë”, ka deklaruar një zëdhënës i inteligjencës ukrainase.

Një zyrtar tjetër, Yuriy Tandit, asistent i shefit të Shërbimit Ukrainas të Sigurisë, u citua nga një agjenci lokale lajmesh të thoshte: “Ukraina nuk e konfiskon e as nuk e merr me forcë territorin e saj dhe nuk ka ndërmend ta bëjë atë”.

Mediat citojnë zyrtarë të tjerë që akuzojnë Rusinë se po përforcon praninë e saj ushtarake në Krime, pranë kufirit me Ukrainën, që sipas tyre do të thotë se, “Moska po përgatitet për operacione ofensive”.

Top Channel