Vritet organizatori i Miss-eve të Meksikës

09/08/2016 00:00

Drejtori i konkursit të Miss Botës në Meksikë, Hugo Ruben Castellanos, është gjetur i vrarë në qytetin e Culiacanit në verilindje të shtetit të Sinaloas.

Castellanos ishte rrëmbyer së bashku me dy persona të tjerë nga një lokal në orët e para të mëngjesit të së dielës, vetëm pak orë pasi kishte kurorëzuar fituesen e garës së Miss Sinalos.

Dy personat e tjerë të rrëmbyer ishin liruar më pas, ndërsa trupi i Castellanosit u gjet brenda një makine të vjedhur, që kishte vrima plumbash në të gjitha anët.

Motivi i vrasjes së tij është ende i paqartë. Dëshmitarë kanë thënë se Castellanos kishte marrë pjesë fillimisht në një “party” me garueset e Miss Sinaloas, përpara se të lëvizte drejt lokalit nga ku u rrëmbye.

Rrëmbimet dhe vrasjet nuk janë të pazakonta në shtetin e Sinaloas, vendlindja e lordit të famshëm të drogës në Meksikë, Joaquin “El Chapo” Guzman. Norma e vrasjeve në Sinaloa është rritur dyfish, që kur bosi i drogës është kapur për të disatën herë në janar të këtij viti.

Analistët thonë se rritja e vrasjeve vjen si pasojë e bandave rivale, që luftojnë me njëra-tjetrën për të marrë kontrollin e rajonit që deri më sot ishte nën sundimin e kartelit të Guzmanit.

Top Channel