Kallëzoi vrasjen e kushëririt, policia zbulon se ai është autori

09/08/2016 00:00

Vrau kushëririn e tij në Greqi dhe e denoncoi në Shqipëri sikur e kishin vrarë të tjerë, por alibia e ka tradhëtuar. Policia e Fierit ka vënë në pranga Denis Zakën, 26 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet si personi që ka vrarë kushëririn e tij, Vladimir Murrizi.

Sipas verifikimeve dhe hetimeve të kryera nga Policia e Fierit, ka qenë babai i viktimës ai që kishte hedhur dyshimet e para se i biri ishte vrarë pikërisht nga kushëriri i tij. Për këtë arsye, babai i viktimës, së bashku me Denis Zakën, shkuan në Policinë e Fierit, ku i riu iu nënshtrua marrjes në pyetje dhe verifikimit të fakteve që pohonte. Në vlerësim të të dhënave rezultoi se thëniet e 26-vjeçarit Zaka ishin kontradiktore, krahasuar këto me tabulatet telefonike, mesazhet dhe komunikimi në rrjete sociale si dhe dëshmitë e katër personave që kishin dijeni për ngjarjen.

Vënë përballë këtyre fakteve, Denis Zaka pranoi në fund autorësinë e vrasjes së kushëririt të tij, duke treguar edhe vendin ku e kishte vrarë. Në bashkëpunim me autoritetet greke u bë e mundur gjetja e trupit të të ndjerit Vladimir Murrizi. Bëhet e ditur se viktima Murrizi e kishte ndihmuar kushëririn e tij Zaka për të gjetur punë në Greqi. Pak para vrasjes, dy kushërinjtë ishin duke pirë në një lokal, ku kanë nisur të grinden më pas, grindje e cila përfundoi me vrasjen e Murrizit.

Pas hetimeve të para, dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda për akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare.

Top Channel