“Deltas” i ikin dritat, mijëra pasagjerë të bllokuar

09/08/2016 00:00

Mijëra pasagjerë të kompanisë ajrore amerikane “Delta” mbetën në aeroportet e të gjithë botës, pas një ndërprerje elektrike që detyroi kompaninë të pezullonte fluturimet.

Incidenti shkaktoi vonesa në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu në Japoni, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar. Si pasojë e defekteve në sistemin kryesor u prekën sistemet e kontrollit në aeroporte, ekranet e informacionit për pasagjerët, faqja e internetit e kompanisë dhe aplikacioni për telefonat celularë.

Fluturimet nisën 6 orë pas këtij incidenti, por “Delta” paralajmëroi për vonesa të tjera për shkak të bllokimit të mëparshëm. Kompania pezulloi ose anuloi dhjetëra fluturime të hënën, ndërsa agjentët e aeroporteve u detyruan që të shkruan bileta me dorë.

“Delta” tha se 740 fluturime në total u anuluan, por kompjuterët e saj ishin kthyer në punë. Mësohet se gjithçka ndodhi pas një shkëputje të energjisë elektrike në Atlanta, në afërsi të selisë qendrore të kompanisë “Delta”, e cila bëri që sistemi kompjuterik të bllokohej.

Shumë prej pasagjerëve të bllokuar, ndërsa pranuan se defektet ndodhin, u ankuan për mungesën e një plani emergjence në raste të tilla.

Muajin e shkuar një problem të ngjashëm pati edhe kompania “Southwest Airlines”, e cila anuloi 2000 fluturime pas ndërprerjes së energjisë elektrike që shkaktoi kaos në sistemin e saj të kompjuterëve.

Top Channel