Rio 2016, një sportiste me hixhab për Amerikën: Dua të luftoj stereotipet

08/08/2016 00:00

Ibtihaj Muhammad kërkon të kthejë faqen e historisë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Ajo është e para garuese myslimane e veshur me hixhab, që përfaqëson Amerikën në një kompeticion ndërkombëtar.

30-vjeçarja do të hapë konkursin e femrave duke u ndeshur në disiplinën e skermës me ukrainasen Olena Kravatska.

Muhammad dëshiron të ndryshojë konceptin mbi përfaqësimin e sportisteve myslimane në ngjarje të tilla sportive.

“Dua të luftoj stereotipin që njerëzit kanë për femrat myslimane. Dua t’u tregoj njerëzve se ne, jo vetëm mund të jemi pjesë e një skuadre olimpike, por mund të përfaqësojmë edhe skuadrën më të fortë”, tha garuesja.

Sipas Ibtihaj Muhammad, situata globale nuk është në ditët e saj më të mira, referuar kështu valës së fundit të sulmeve bazuar në keqinterpretimin e fesë.

Sportistja ka një karrierë profesionale në ngritje. Në vitin 2007, ajo është renditur në vendin e 113 për disiplinën e saj. Në këtë garë të Lojërave Olimpike, 30-vjeçarja ka një mision përtej prezantimit të vetes, familjes apo Amerikës. Ditën e shtunë, Muhammad kërkon të nderojë komunitetin mysliman anembanë botës.

Top Channel