Policia Rrugore, plan masash për parandalimin e aksidenteve

08/08/2016 00:00

Gjatë ditëve të fundjavës shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë qenë të angazhuara në zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e masave, për mbarëvajtjen e trafikut në të gjitha akset rrugore kombëtare.

Sipas një njoftimi për shtyp, të gjitha njësitë janë angazhuar për të mundësuar një trafik normal dhe pa bllokime të gjata. Veç kësaj, shërbimet policore kanë evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor.

Konkretisht, nga data 05 deri më 8 gusht janë vendosur gjithësej 4.776 masa administrative; janë arrestuar 12 drejtues mjetesh të papajisur me leje drejtimi; 13 drejtues mjetesh në gjendje të dehur; janë pezulluar 87 leje, nga të cilat 11 për alkool dhe 52 për shpejtësi.

Gjithashtu janë vendosur 839 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit, 139 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 646 për shpejtësi dhe parakalime të gabuara, si dhe 121 për përdorim celulari.

Në njoftim saktësohet se janë dërguar në OASH 84 drejtues mjetesh, ndërsa janë këshilluar një numër i konsiderueshëm udhëtarësh për shkelje të lehta të Kodit Rrugor.

Në ditët e ardhshme, Policia Rrugore do të vijojë në të gjithë vendin punën për sensibilizimin e udhëtarëve për respektimin e rregullave të Kodit Rrugor dhe evidentimin ndëshkimin e shkelësve.

Top Channel