Droga në Filipine, presidenti akuzon 150 zyrtarë të lartë të përfshirë në trafik

07/08/2016 00:00

Qëkur presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte mori pushtetin në fund të qershorit, ai ka nisur një luftë të hapur kundër kriminalitetit në vend. Rreth 400 njerëz në Filipine vdesin çdo muaj nga përdorimi i drogës.

Presidenti nuk u kursye në akuzat që u bëri drejtpërdrejt 150 zyrtarëve të lartë se janë të përfshirë në trafikun e drogës. Rodrigo Duterte tha se, në këtë listë bëjnë pjesë qeveritarë, anëtarë të gjyqësorit, kongresmenë dhe zyrtarë të policisë.

Presidenti shtoi se lista është vërtetuar dhe verifikuar nga forcat ushtarake dhe policore, komision i ngritur posaçërisht për të hetuar luftën kundër krimit. Oficerët e policisë të përmendur në listë janë pezulluar, ndërsa vet presidenti nuk tha se çfarë ka ndodhur me zyrtarët civilë.

Numri i lartë i vdekjeve të përdoruesve të drogës ka alarmuar grupet e aktivistëve dhe organizatat në mbarë botën, por ata janë shprehur kundër dënimit me vrasje pa gjyq të të dyshuarve për trafik droge, masë kjo e miratuar nga presidenti i ri.

Mediet filipinase thonë se, që prej 30 qershorit e deri më sot, 524 të dyshuar për trafik droge janë vrarë nga policia, megjithëse Duterte pretendon se shumica e tyre janë vrarë në përleshje me policinë. Presidenti ka deklaruar se rreth 600 mijë njerëz jane të lidhur me tregtinë e drogës në vend, duke paralajmëruar kështu një luftë të gjatë me kriminalitetin në Filipine.

Top Channel