Afron Olimpiada e Rios, por çfarë fsheh Brazili ndaj botës?

02/08/2016 00:00

Çdo delegacion i pranishëm në Rio de Janeiro ka ende dyshime nëse Brazili është plotësisht gati për nisjen e Olimpiadës së kësaj vere, e pavarësisht një mijë e një sigurimeve të autoriteteve se do të jetë një aktivitet spektakolar, ajo çfarë shihet në kryeqendrën sportive të botës këtë muaj tregon shumë.

Vendasit në Rio e cilësojnë qytetin e tyre si të mrekullueshëm, të famshëm për plazhet me hapësirë të madhe, diversitetin e banorëve, apo malet e bukura që anojnë jo larg detit.

Por ka shumë gjëra të tjera, që Brazili po tenton të mos ia tregojë botës sportive, duke u fshehur pas hijes së rëndë të statujës së Krishtit, që “mbretëron” mbi Rio.

Një emër që humbi statusin e kryeqytetit në vitin 1960, Rio de Janeiro ka një rekord aspak për t’u krenuar si më i frikshmi për shkak të kriminalitetit. Bandat mbretërojnë në “favelat” (lagjet e varfra) e qytetit dhe pavarësisht premtimit për 85 mijë ushtarë e policë në rrugë, siguria mbetet një sfidë për t’u përmbushur.

Nuk ka asnjë qytet olimpik që, kurdo në harkun e historisë, të mos ketë vonuar paksa projektet, por në disa zona, Rio de Janeiro ka dështuar bujshëm. “Guanabara bay” është sot një lagunë që kundërmon për shkak të mijëra tonët e mbeturinave dhe ndotësve industrialë. Trajtimi i 80% të mbetjeve që hyjnë në këtë gji ishte premtimi kryesor i Rios kur fitoi Olimpiadën, por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Ceremonia e hapjes së Olimpiadës do të zhvillohet më 5 gusht në stadiumin “Maracana”, aty ku do të parakalojnë 207 delegacione.

Top Channel