Helsinki: Inspektim në të gjitha burgjet, të ndryshojnë kushtet e sigurisë

02/08/2016 00:00

Në kohën kur Prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për të vlerësuar si të ligjshëm arrestimin e dy të rinjve, të cilët tentuan të vrisnin një të paraburgosur në Vaqarr, ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit  deklaron se duhen parë kushtet e sigurisë në këtë burg.

Gjatë një interviste për Top Channel kreu i KSHH, Erinda Skëndaj theksoi se burgu i Vaqarrit ka ndryshuar destinacion, nga një burg i sigurisë së zakonshme në një paraburgim, çka do të thotë se siguria nuk duhet të jetë e njëjtë.

“Para se të ndërmerrej një vendim i tillë, duhej të shikohej nëse, rregullat e sigurisë teknike të godinës së këtij institucioni, fushëpamja ose aksesi që persona të jashtëm mund të kishin në ambientet ku personat e paraburgosur ushtronin aktivitetet sociale, siç është edhe ajrimi, mundet të cënohej siguria nga kjo gjë apo jo?”, thotë Skëndaj.

Në fakt, atentati i cili kishte shënjestër Gazmir Dacin, por plagosi aksidentalisht një tjetër të paraburgosur, ndodhi nga jashtë rrethimit në kohën e ajrimit.

Për këtë dosje, prokuroria i kërkon gjykatës që të shpallë mungesën e kompetencës dhe ta delegojë tek Krimet e Rënda si krim për gjakmarrje.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit shikon me shqetësim edhe ngjarjen e Shënkollit, për të cilën, sipas Skendajt, autoritetet nuk duhet të mendojnë vetëm për t’u hequr të burgosurve bombolat e gazit nga përdorimi, por se pari t’u ofrojnë atyre ushqim brenda standardeve.

“Duhet bërë një inspektim tematik në të gjithë institucionet e privimit të lirisë për të parë pjesën e rregullave të sigurisë. Duke marrë shkas nga të dyja rastet, qoftë për të parë pjesën e bombolave të gazit, sa përqind e personave të privuar nga liria i përdorin këto mjete”, shprehet kryetarja e KSHH.

Top Channel