Atentati për gjakmarrje, dilemë për Vaqarrin. Kush do ta hetojë dosjen?

01/08/2016 00:00

Pas atentatit të dështuar, që aksidentalisht dëmtoi të paraburgosurin Lili Dulaj, ndërkohë që shënjestra ishte Gazmir Daci, Prokuroria e Tiranës është në dilemë nëse kjo çështje duhet hetuar tek institucioni i akuzës së kryeqytetit apo jo.

Me shumë mundësi, thanë burime të grupit hetimor, do të shpallet moskompetenca dhe çështja do të kalojë për veprime të mëtejshme te Krimet e Rënda, pasi autorët e dyshuar kanë konsumuar veprën penale të “gjakmarrjes” të ngelur në tentativë, vepër kjo që hetohet nga ky institucion.

Kjo do të thotë se prokurorët nuk kanë vendosur ende se ku do të zhvillohet masa e sigurisë ndaj Ergys Kolaverit, 25 vjeç, dhe kushëririt të tij, Enea Ceka, 24 vjeç, të dyshuar se kanë konsumuar “vrasje për gjakmarrje në tentativë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “moskallëzim krimi”.

Dilema e prokurorëve qëndron në faktin se gjatë atentatit në Burgun e Vaqarrit nuk u dëmtua shënjestra, por një i paraburgosur tjetër, i cili po trajtohet në spital pas dëmtimit të arteries së gjymtyrëve.

Pasi panë listën e të dënuarve, që ishin në ajrim ditën e ngjarjes, por edhe pasi ndoqën të dhëna të tjera hetimore, sikurse identifikimi i mjetit me të cilin ishin larguar autorët, hetuesit kuptuan se bëhej fjalë për Gazmir Dacin. Ai ndodhet nën gjykim për “vrasje në rrethana cilësuese” të shtetasit Valmir Kolaveri dhe gjymtimin e Robert Kolaverit, që të dy vëllezër të Ergys Kolaverit.

Top Channel