F1 në Gjermani, Mick Schumacher i ftuar special. Vettel: Të mos rreshtim së besuari

31/07/2016 00:00

Çmimi i Madh i Gjermanisë, në pistën e Hockenheimit këtë fundjavë, nuk mund të kalonte pa pasur gjurmë të legjendës së Formulës 1, Michael Schumacher.

I ftuar special në këtë garë ka qenë i biri i legjendës, Mick Schumacher, i cili nga ana e tij po vijon nën gjurmët e të atit, edhe pse ende në një kategori më inferiore të garave të automobilizmit. Një foto e tij është publikuar në llogarinë zyrtare të Formula 1 në “Twitter”, nën shoqërinë e bosit të këtij sporti, britanikut Bernie Ecclestone.

Ndërkohë, ai që cilësohet edhe si pasardhësi i Schumacherit, por jo genetik, Sebastian Vettel shprehet se “nuk duhet të rreshtim kurrë së besuari”, kur bëhet fjalë për shëndetin e Michael Schumacher, i cili mbetet ende në një gjendje misterioze por të rënduar që prej aksidentit të pësuar në Alpet franceze në dhjetor të vitit 2013.

“Ka qenë një fat tepër i keq për të, por shpresa është gjithmonë e fundit që vdes”, ka theksuar piloti i Ferrarit, pikërisht gjatë kësaj të diele kur edhe është programuar të zhvillohet Çmimi i Madh i Gjermanisë, teksa ka folur për “Bild am Sonntag”. “Kushdo që e njeh atë, e di mirë që Michael është një luftëtar i vërtetë, ndaj dhe nuk duhet të rreshtim së besuari se ai do ta rimarrë veten”.

Top Channel