Me Bajernin, Interi zbret nga “tripleta” e trofeve në “tripletën” e Green

31/07/2016 00:00

Aventura amerikane përfundon me zero pikë në klasifikimin e “International Champions Cup” për zikaltrit e Interit. Madje edhe me shumë pikëpyetje në kokën e Roberto Mancinit.

Sfida me Bajernin e Mynihut ishte një përmbledhje e të gjitha difekteve, sidomos në mbrojtje, të skuadrës së dytë të Milanos, që pësoi 4 gola vetëm gjatë pjesës së parë e madje nuk dha asnjë shpresë jete në pjesën e dytë.

Vrastari i mbrëmjes së djeshme në “Bank of Stadium” ishte talenti i ri Green, i cili shënoi 3 gola. Riberi ishte autori i golit të katërt për Bajernin (realisht i dyti, 2-0), ndërkohë që Interi ngushëllohet më së paku me golin e Mauro Icardit, i aktivizuar në 20 minutat e fundit, për të dalë nga një mbrëmje “horrori” me të paktën një gol “nderi”.

Inter-Bajern Mynih nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat për zikaltrit, pasi është një sfidë që rikthen në kujtesën e tyre momente tepër të gëzueshme, kur skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho në vitin 2010 triumfonte me dy gola të Militos dhe siguronte trofeun e Champions League. Megjithatë, që prej atëherë duket se ka kaluar një jetë e tërë, teksa tashmë kanë mbetur vetëm ngjyrat e fanellave zikaltër dhe gjithçka tjetër duket një tjetër histori.

Nga atëherë deri më sot, kuptohet edhe më mirë sesa shumë duhet të bëjë Interi për t’u kthyer sërish te epoka e lavdishme.

Top Channel