Putin viziton Slloveninë, me mendje te përmirësimi i marrëdhënieve me BE-në

31/07/2016 00:00

Vizita e Vladimir Putinit në Slloveni po shihet si pjesë e fushatës për zbutjen e sanksioneve europiane ndaj Moskës dhe si sinjal i përpjekjeve për të ruajtur një lloj ekuilibri në këtë kohë marrëdhëniesh të akullta mes Moskës dhe Perëndimit.

Shteti anëtar i NATO-s e BE-së, njëkohësisht vendlindja e bashkëshortes së Donad Trumpit, Melania, ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë, edhe pse iu bashkua masave shtrënguese të bllokut kundër Moskës për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.

Ndalesën e kreut të shtetit rus, Sllovenia u përpoq ta përshkruante si “jozyrtare” e që nuk bie ndesh me politikën e sanksioneve të BE-së. Presidenti Borut Pahor shkoi deri aty sa t’u lutej partnerëve të Bashkimit Europian e të NATO-s, të mos e shohin këtë vizitë si “thikë pas shpine”.

Por raportet në shtypin vendas lënë të kuptohet se prej saj mund të dalë diçka e madhe. Në fund të fundit, – kujton gazeta “Delo”, Rusia vazhdon të mbetet partneri më i rëndësishëm ekonomik i vendit jashtë BE-së.

Gjatë bisedimeve që pati me Pahorin, shefi i Kremlinit diskutoi çështjet e sigurisë dhe unitetit në Europë. Slloveninë, – bën të ditur “Reuters”, – Moska e sheh si aleate të mundshme në përpjekjet e saj për fundin e sanksioneve paralizuese.

Rusia përbënte përpara krizës ukrainase tregun kryesor të produkteve ushqimore sllovene, ndërsa Lubjana mbetet e pritur për të qenë vend tranziti i gazsjellësit të propozuar të sjellë gazin rus në Europë.

Sanksionet iu bllokuan rusëve qasjen në tregjet financiare globale e paralizuan transferimin e teknologjive kyçe. Moska u hakmor duke ndaluar shumë nga mallrat perëndimore të konsumit, lëvizje kjo që dëmtoi mjaft vende europiane, përfshirë Slloveninë.

Top Channel