Jordania, në “syrin e ciklopit”. Në kufi ka kërcënimin xhihadist

29/07/2016 00:00

Ndërsa lufta kundër ekstremizmit vazhdon, ekspertë politikë hedhin një vështrim mbi vendet e Lindjes së Mesme që mund të kontribuojnë në një përpjekje të bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara, siç është Jordania që ndan kufijtë me dy shtete, ku xhihadistët kanë zaptuar pjesë të mëdha territori: Sirinë dhe Irakun.

Disa analistë argumentojnë se, nisur nga fakti që disa prej organizatave të lidhura me ekstremizmin janë krijuar pikërisht atje, pjesëmarrja e vendit në luftën kundër këtij fenomeni duhet të jetë e lidhur ngushtë me interesat e saj.

“Është padyshim edhe në interesin e vet Jordanisë. Është e rëndësishme, sidomos duke parë sesi po shkojnë gjërat në Siri, veçanërisht në pjesën jugore të saj. Muajin e kaluar, Jordania u përball me një sulm terrorist në kufirin e saj, çfarë do të thotë se nuk është më aq larg shënjestrimit nga terrorizmi”, tha Amer Al Sabaileh, profesor në Universitetin e Jordanisë.

Të tjerë mendojne se, si aleat i Shteteve të Bashkuara, vendi do të përballej me një shtim të kërcënimit.

“Jordania kërcënohet nga aktet terroriste, sepse është në syrin e stuhisë në këtë rajon. Por në të njëjtën kohë, sa më shumë të përfshihet në luftën kunder ekstremizmit, aq më shumë rreziqe do t’i kanosen nga organizata që do të kërkojnë shpagim. Është një vend i vogël dhe i varfër. Nuk ia lejon dot vetes të luajë rolin e një fuqie rajonale, kur në fakt nuk është e tillë”, tha Labib Qamhawi, ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme.

Jordanezët, sipas tij nuk janë shumë të prirur të hidhen në luftë kundër ISIS-it, jo se e mbështesin grupin e dhunshëm xhihadist, por sepse nuk duan t’iu lëkundet siguria e tyre e brendshme.

Top Channel