Higuain: Lashë Napolin nga De Laurentiis

29/07/2016 00:00

Gonzalo Higuain është prezantuar si futbollisti më i ri i Juventusit. Transferimi i sulmuesit argjentinas te “Zonja e Vjetër” u shoqërua me polemika dhe me një zemërim të madh nga presidenti i Napolit, De Laurentiis, e sidomos nga tifozët e kësaj skuadre, një temë e cila u prek edhe në konferencën për shtyp të tij.

“De Laurentiis nuk është sjellë mirë me mua dhe nuk kam ndonjë raport me të. Nuk doja të kaloja më shumë kohë me të. Nuk mund të them më shumë. Falenderoj Juventusin për përpjekjet e bëra dhe do t’i tregoj kësaj skuadre se nuk gaboi kur vendosi të nënshkruajë me mua. Pas 3 sezonesh te Napoli, erdhi momenti që të largohesha. Dua të falenderoj futbollistët dhe tifozët e Napolit, por jo De Laurentis”, deklaroi Higuain.

Më pas, “El Pipita” foli për skuadrën e tij të re, Juventusin, duke e shfaqur hapur kënaqësinë për transferimin te kampionët e Italisë: “Nuk kam ç’ të shtoj në këtë pikë. Të gjithë e dinë se Juventusi është një skuadër e madhe e mësuar me fitore trofesh dhe kjo është arsyeja që unë erdha këtu. Mentaliteti dhe projekti i klubit janë motivi i këtij transferimi dhe unë jam shumë i lumtur për këtë”.

Sezonin e kaluar, Higuain shënoi 36 gola në Serinë A me fanelën e Napolit, skuadër e cila në fund të kampionatit u rendit në vendin e dytë, ndërkohë që Juventusi fitoi titullin e pestë radhazi. Në vitin 2013 ai u transferua nga Reali i Madridit te Napoli, për ta lënë atë në verën e këtij viti.

Juventusi pagoi për kartonin e Higuain vlerën prej 94 milionë eurosh që përbënte klauzolën e kontratës së futbollistit me Napolin.

Top Channel