Meta: Të punojmë si Kukan e Fleckenstein

28/07/2016 00:00

Fjala e Ilir Metës në takimin e organizuar nga Fatmir Xhafaj në cilësinë e kryetarit të Komisioni të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, kishte dy momente kryesore; së pari falenderimet dhe së dyti thirrjet për klasën politike për konsensus dhe për të punuar së bashku.

Meta e nisi fjalën duke falenderuar Fatmir Xhafajn të parin dhe më pas me radhë të gjithë aktorët e hartimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve në kuadër të reformës në drejtësi.

Pas kësaj, Meta kërkoi konsensus edhe për miratimin e 7 ligjeve dhe që politika të punojë për vendin duke patur më shumë bashkëpunim mes palëve politike dhe për këtë solli një shembull të thjeshtë.

“Le të punojmë për vendin tonë, të paktën për reformën në drejtësi dhe të tjerat kyçe që kanë të bëjnë me konsolidimin e shtetit tonë si shteti i së drejtës, demokratik dhe që ofron siguri për të gjithë gjeneratat, ashtu siç punon eurodeputeti i majtë, Knut Fleckenstein me eurodeputetin e djathtë, Eduard Lukan. Të punojmë edhe ne si ata”, deklaroi ai.

Në fund, Meta falenderoi edhe Kryeministrin Rama, që i njohur meritën si nismëtar për këtë reformë dhe Lulzim Bashën, që sipas Metës, në dy muajt e fundit “bëri përpjekje të lavdërueshme për të ecur në rrugën e duhur”.

Top Channel