Theresa May, në Itali: Dalja nga BE mos cenojë marrëdhëniet tona

27/07/2016 00:00

Pas Angela Merkel-it dhe Francois Hollande-it, vizitat në kryeqytetet europiane shefja e Ekzekutivit britanik, Theresa May i vazhdoi me ndalesën në Romë, ku shtrëngoi duart me homologun Matteo Renzi e ç’është më e rëndësishmja dhe synim kryesor i këtij rrugëtimi, garantoi se dalja e Britanisë nga BE-ja nuk do t’i cenojë marrëdhëniet e saj me vendet e tjera.

“Ne do ta vazhdojmë forcimin e marrëdhënieve me miqtë tanë europianë. Jashtë Bashkimit Europian, Britania dhe Italia do ta vijojnë bashkëpunimin mes tyre nëpërmjet NATO-s, G20-s dhe G7-s”, ka thënë Theresa May, kryeministre e Britanisë. 

Reportereve, kryeministrja britanike iu tha se dëshiron të ofrojë garanci për të drejtat e qytetarëve të BE-së që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, ama paralajmëroi se një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm nëse anëtarët e bllokut i sigurojnë të njëjtën mbrojtje shtetasve anglezë jashtë kufijve. Për të ardhmen e marrëdhënieve Britani-BE, May është mendjehapur.

“Nuk kam paragjykime në këtë drejtim. Mendoj se duhet të zhvillojmë modelin që i vjen më për shtat si Britanisë, ashtu dhe Bashkimit Europian”, shprehet May.

Kryeministrja britanike është takuar këtë javë me homologun irlandez Enda Kenny, e pas Renzit, do të pritet në Varshavë nga shefja e Ekzekutivit polak, Beata Szydlo për të diskutuar pasojat dhe zgjidhjet e “Brexit”-it.

Top Channel