SHBA, dita e tretë e Konventës demokrate. Obama, Biden dhe…Kaine

27/07/2016 00:00

Demokratët do të nisin praktikisht kalimin e pishtarit nga Barack Obama tek ajo, që është tashmë e nominuara zyrtare e partisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Zëvendëspresidenti Joe Biden do të ketë mundësinë të flasë gjithashtu, e Tim Kaine, njeriu i përzgjedhur si kandidat për nënpresident do të ketë mundësinë t’ia prezantojë veten kombit.

Për Obamën mund të mos ketë rast tjetër kaq të rëndësishëm sa ky, për t’i kërkuar koalicionit të tij elektoral mbështetjen e gruas që mposhti dikur. Në njëfarë mënyre, ngjitja në podiumin e Konventës do të jetë mundësi e mirë edhe për t’i bërë një mbrojtje të fuqishme trashëgimisë së vet tetëvjeçare në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti do t’ua bëjë të qartë miliona shikuesve se Hillary Clinton është shpresa për vazhdimësinë e politikave të tij. Në politikë pak gjëra janë të sigurta, por ajo çfarë dinë një pjesë e amerikanëve është se Joe Biden ndien ende keqardhje për faktin që nuk e bëri përpjekjen finale të marrjes së postit që ka aspiruar gjithë jetën.

Një keqardhje, të cilën me shumë gjasë nuk do ta shprehë kurrë publikisht, e sidomos jo gjatë fjalimit në Konventë, ku do të përcjellë mbështetjen e plotë për ish-Sekretaren e Shtetit.

Pritshmëritë janë të larta ndërkohë për Kaine, të lavdëruar shumë deri edhe nga disa republikanë. Clinton hyri në histori si e para grua që zgjidhet zyrtarisht kandidate për presidente e njërës prej partive kryesore në Shtetet e Bashkuara.

Në fjalimin e mbajtur në Filadelfia, bashkëshorti i saj, ish-presidenti demokrat Bill Clinton u përpoq t’u tregonte amerikanëve përse e shoqja, e njëkohësisht “mikja e tij” më e mirë, siç e përshkroi edhe vet, duhet t’i udhëheqë Shtetet e Bashkuara.

Top Channel