Janë plot 1.050 kostume të inventarizuara, ndërsa mijëra të tjera, veshje, rekuizite, mobilje, makina e gjithçka që është përdorur nga ish-Kinostudio “Shqipëria e Re” do të qëndrojnë edhe për pak kohë në atë godinë, që së shpejti do të shërbejë si zyra për Ministrinë e Kulturës.

Pas sorrollatjeve dhjetëravjeçare nga një godinë në tjetrën, në kushte të papërshtatshme për të ruajtur këtë pjesë të historisë së Kinematografisë shqiptare, më në fund kostumografia dhe rekuizitet e ish-Kinostudios do të zhvendosen në godinën e tyre të re.

Magazina, e cila është e vetmja pjesë që i ka mbetur ish-Kinostudios, do të jetë shtëpia e tyre e re, më moderne dhe me kushtet e përshtatshme për t’i ruajtur së paku edhe për disa dekada, por sërish shumë e vogël sipas nëpunësve.

“Menduam se kjo do të jetë edhe zgjidhja më e mirë për të bërë të mundur që fondi i pasur dhe i konsiderueshëm i asaj që trashëgohet nga ish-Kinostudio, të vendoset në kushte normale. Është një sipërfaqe disi e kufizuar, por në kushtet kur ish-Kinostudio tashmë është transformuar, e kemi gjetur si mundësinë më të mirë këtë”, thotë Nezir Selimaj, administrator i “Albafilm”.

Tani për tani pasuria e ish-Kinostudios është e mbyllur në thasë, gati për t’u transportuar në godinën e re, prej nga ku do të shfaqen më pas në një muze të Kinemasë shqiptare.

Top Channel