Tashmë i Juves, Higuain rezulton lojtari më i paguar në Itali

27/07/2016 00:00

Gonzalo Higuain tashmë është zyrtarisht futbollist i Juventusit. Në Torino, sulmuesi argjentinas do të përfitojë 7.5 milionë euro në sezon, që do t’i japin atij edhe “titullin” e futbollistit më të paguar në “Serie A”, duke parakaluar kështu De Rossin.

Mesfushori i Romës ishte ai që kryesonte këtë listë deri më tani, me një pagë prej 6.5 milionë eurosh në sezon, por tani e sheh veten në vendin e dytë, ndërkohë që podiumin e plotëson një tjetër blerje e re e Juventusit, Miralem Pjaniç, me 4.5 milionë euro në sezon, i ndjekur nga Paul Pogba dhe Edin Dzeko me po të njëjtën pagë.

Megjithatë, këto shifra janë të parëndësishme po t’i krahasosh me pagat e futbollistëve më të mirë në arenën ndërkombëtare. Kështu, në krye të listës qëndron Lionel Messi me 20 milionë euro në sezon, i ndjekur nga Neymar me 18 milionë, e Cristiano Ronaldo me 17 milionë euro në sezon.

Top Channel