Bagdad, tjetër shpërthim kamikazi. 11 të vdekur e 20 të plagosur

24/07/2016 00:00

Me 11 të vdekur nga shpërthimi i fundit, Shteti Islamik e mban gjallë frikën e akteve terroriste në Bagdad. Shënjestra e kamikazit të ISIS-it ishte një postbllok në veriperëndim të kryeqytetit irakian, në hyrje të lagjes me shumicë shiite “Kadhimiyah”. Tetë prej viktimave ishin civilë dhe 3 të tjerët policë. Plot 20 janë të plagosurit, disa në gjendje kritike për jetën.

“Burri që mbante veshur brezin me eksploziv zbriti nga një mikrobus e duhet të merrte tjetrin, që nisej për në Sader City. Por sapo u afrua aty, u hodh në erë”, tha Hassan Muhsin, dëshmitar okular.

Gazetari: Cila ishte shënjestra e tij?

“Këtu nuk ka asgjë. Njerëzit këtu janë të gjithë të varfër dhe punojnë e mundohen çdo ditë që të nxjerrin bukën e gojës”, tha Hassan.

Bagdadi është në gjendje alarmi pas sulmit të 3 korrikut në zonën qendrore të tij, Karada, ku humbën jetën më shumë se 300 vetë. Shpërthimin e konsideruar si një ndër më vdekjeprurësit që prej pushtimit amerikan në vitin 2003 e mori përsipër Shteti Islamik.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes, ndërkohë, publikoi një video që tregon sumet ajrore të koalicionit ndaj shënjestrave të ISIS-it në Irak javën e parë të korrikut. Në duart e grupit xhihadist sot ka mbetur vetëm 10% e territorit irakian, megjithatë avancimi në fushën e betejës nuk e ka ndihmuar shumë sigurinë brenda vendit.

Top Channel