Kompleksi i Bin Ladenit fut në sherr autoritetet lokale dhe ushtrinë

22/07/2016 00:00

E ardhmja e kompleksit të Osama bin Ladenit në Pakistan është kthyer në “mollë sherri” mes autoriteteve lokale, që në vendin ku jetoi e ku u vra ish-kreu i al-Qaedës duan të ndërtojnë një park lojërash për fëmijë, dhe ushtrisë që kërkon ta përdorë tokën për varrezë.

Grindjet vazhdojnë prej kohësh, por të mërkurën forcat ushtarake i dhanë një kthesë të beftë situatës me ngritjen e një barriere përreth zonës së shumëdiskutuar, duke i zënë zyrtarët në befasi.

Njeriu që dikur cilësohej si sheiku i terrorit u vra gjatë mësymjes së banesës së tij nga forcat speciale amerikane majin e vitit 2011. Bin Ladeni kishte jetuar për disa vite me radhë i fshehur pas mureve të larta që rrethonin godinën trikatëshe të ndodhur jo shumë larg një akademie ushtarake, në një kohë kur në pjesën tjetër të botës kërkohej me qiri.

Pas vrasjes së kreut të asaj që deri në atë kohë ishte ende organizata më e fuqishme terroriste e globit, kompleksi iu dorëzua qeverisë rajonale të provincës Khyber Pakhtunkhëa, e cila rrëzoi murin rrethues e shkatërroi një pjesë të strukturës, në përpjekje për të fenuar kthimin e banesës në vend pelegrinazhi për xhihadistët dhe simpatizantët e tyre.

Që prej atëherë, kompleksi dergjet i braktisur dhe toka përreth tij ka mbetur bosh. Por Bin Ladeni vazhdon të ngjallë shqetësim edhe pas vdekjes, duke i lënë trashëgimi qeverisë lokale dhe autoriteteve ushtarake sherrin se kush duhet ta kontrollojë tokën e tij.

Top Channel