Amsterdami qetëson britanikët: Jeni të mirëpritur, “Brexit” nuk ju cënon

19/07/2016 00:00

Me qindra britanikë u mblodhën në Amsterdam për të dëgjuar sesi kryebashkiaku i qytetit i garantonte edhe njëherë se janë të mirëpritur atje, pavarësisht vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për shkëputje nga blloku europian.

Amsterdami ka qenë prej kohësh një prej destinacioneve të preferuara të britanikëve, që kanë kërkuar të sistemohen gjetkë në BE. Kryetari i bashkisë, Eberhard van der Laan tha se, shpreson që negociatat e “Brexit”-it nuk do të çojnë drejt një situate paqartësish.

“Shqetësimi im më i madh është se mos, ashtu siç ndodh me divorcet e hidhura, pasojat e betejës ligjore do t’i paguajnë fëmijët; në këtë rast britanikët e thjeshtë. Them se mjaft telashe kanë edhe kështu, por pyetja që rreh më shumë si çekan në kokat e tyre është ‘çfarë do të ndodhë me fëmijët e mi’? A do të munden ata vallë të qëndrojnë këtu, të studiojnë këtu, të jetojnë në këtë vend? Kjo është shumë e rëndësishme e duhet sqaruar”, tha Eberhard van der Laan, kryetar bashkie i Amsterdamit.

Qyteti, shtëpi e rreth 15 mijë britanikëve, është pushtuar nga shqetësimi i banorëve që nuk parashikojnë dot të ardhmen e tyre afatgjatë. Një pjesë po mendojnë të marrin nënshtetësinë holandeze, çfarë do t’i detyronte të dorëzonin pasaportat britanike.

“Nuk është se dua të jem patjetër britanik. Unë dua të jem europian dhe, të them të drejtën, më ka shkuar ndërmend të kërkoj nënshtetësinë holandeze, por më zbraps mendimi që duhet të heq dorë nga nënshtetësia ime, e këtë nuk dua ta bëj”, tha Cato Fordham, anëtar i korit të operas, Amsterdam.

Këshilla e Van der Laan për britanikët që jetojnë në qytetin e tij është të mos nxitohen me ndërmarrjen e një hapi kaq radikal, tani kur e ardhmja e marrëdhënieve të Londrës me Brukselin është mjaft e paqartë.

Top Channel