Ndryshon strategjia e sulmeve terroriste, tashmë “përdoren automjetet”

15/07/2016 00:00

Ende nuk është e qartë se dora e kujt fshihet pas atentatit të Nisës, por grupet terroriste më herët kanë deklaruar se sulmet e ardhshme do të kryhen me automjete. ISIS dhe Al Qaeda kanë bërë thirrje publikisht për mbështetësit, që të përdorin automjetet si armë.

Instituti për Studimet e Luftës vuri në dukje në një raport të vitit 2014 se, zëdhënësi i ISIS-it, Abu Mohammad al-Adnani udhëzonte të rekrutuarit të përdorin forma të tjera terrori si: goditje me mjete të forta, përplasje me makina, hedhje nga lartësitë, mbytje apo helmime masive.

Një tjetër video e militantëve transmetonte mesazhin drejtuear mbështetësve të tyre që nëse nuk kanë mundësi të mbërrinin në Siri, atëherë të operonin dhe zhvillonin sulmet në Francë.

“Ka makina dhe armë plot për të goditur objektivat tona”, thoshte një militant. Al Qaeda ka bërë një tjetër thirrje më specifike, që përkon me sulmin e Nisës: përdorni kamionët si makina kositëse, jo për të kositur barin, por armiqtë e Allahut.

Militantët e grupeve terroriste kanë manifestuar atentatin e Nisës, por nuk kanë marrë përgjegjësinë për të. Analistët thonë se ka raste kur njerëzit frymëzohen nga aktet e tyre të terrorit, pa qenë domosdoshmërisht të lidhur me Al Qaedën ose ISIS.

Top Channel