Kosovë, të mërkurën nisin gërmimet për varrezën e dyshuar në UP

12/07/2016 00:00

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se, gërmimet e terrenit në kampusin e Universitetit të Prishtinës, për kontrollin e një vendndodhjeje të dyshuar si varrezë, do të fillojnë ditën e mërkurë më 13 korrik.

Në punimet në kampusin e Universitetit do të jetë i pranishëm edhe delegacioni nga Serbia, për të përcjellë zhvillimet. Gërxhaliu tha se ka dyshime “se bëhet fjalë për viktima të përkatësisë shqiptare”.

“Në bazë të informacioneve të dëshmitarëve, më saktë të qytetarëve që na kanë dhënë informacionet, do të fillojmë punimet. Do të punojmë së bashku me ekspertët e EULEX-it. Do të jetë i pranishëm edhe delegacioni nga Serbia me kërkesën e tyre. Së bashku me ta punojmë prej 17 vitesh dhe kanë shprehur dëshirën të jenë këtu. Prokurori dhe komisioni e kanë pranuar. Të mërkurën fillon hulumtimi i vendit të dyshuar. Nuk mund të themi se bëhet fjalë për një varrezë masive, sepse ende nuk është përcaktuar si e tillë”, tha Gërxhaliu.

“Punimet do të zhvillohen brenda dy ditëve dhe, nëse gjenden mbetjet mortore, punimet e makinerisë së rëndë do të pushojnë, – ka thënë Gërxhaliu, – për t’i përshtatur një tjetër formë gërmimi”.

Top Channel