Kinemaja, si dëshmi historike

12/07/2016 00:00

Përballja me të shkuarën është një ndër aspektet më të rëndësishme të analizës dhe reflektimit për atë që po ndosh sot. Kjo ka shërbyer si nxitje për një seri filmash mbi këtë përballje, që do të shfaqen deri në tetor për studentët, duke shërbyer edhe si një hapje sipari e dialogut me të shkuarën.

“Duhet thënë që në atë periudhë kohe ne s’kemi pasur vetëm gjëra të këqija. Ka pasur edhe gjëra shumë të mira, që ne përfundimisht i kemi humbur sot. Dhe nganjëherë me keqardhje”, tha Genti Kame, regjisor.

“Fakti që kemi dështuar sot nuk do të thotë që ata kishin të drejtë. Dhe fakti që po dështojmë sot nuk është krejt e palidhur me atë që kemi dështuar dje. Kryesorja është që nuk jemi përballur me veten”, tha Profesor Nebi Bardhoshi, studiues.

Të ndodhur të lirë, kineastët sot po fillojnë të mendojnë individualisht dhe jo më në grup. Ndër bisedat e tyre nuk ekziston më alibia “Ashtu ishte koha”. Dhe këtë gjë, ata duan ta përcjellin edhe te një brez që nuk e ka njohur atë kohë.

“Ne asnjëherë nuk e dimë sesi një imazh, sekuencë filmike, apo mendimet që ne do të ndajmë me panelin tim të nderuar, mund të ndikojnë përgjithmonë në jetën e dikujt”, u shpreh Iris Elezi, regjisore.

Ky cikël diskutimi është pjesë e një projektit të OSBE-së dhe Ambasadës gjermane, “Fillojmë të flasim”, dhe zhvillohet në Qendrën për Hapje dhe Dialog.

“Sot është evenimenti i parë nga 6 në total, deri në tetor, të cilat shpresojmë se do të ngjallin një debat me studentët”, tha Pietro Sardaro, shef i Departamentit të Çështjeve Ligjore dhe të Të Drejtave të Njeriut, OSBE.

Nga ky diskutim i parë, distancimi nga diktatura ende nuk është i dukshëm. Kjo mbase edhe për arsyet që minidiktaturat inteligjente janë ende pjesë e kësaj shoqërie.

“Fakti që shteti ka dështuar është një gjë e mirë për shoqërinë shqiptare. Njerëzit kanë mësuar jo pak nga diktatura”, deklaroi Prof. Nebi Bardhoshi.

Top Channel