Rumani, kapen 2 tonë kokainë në operacionin më të madh antidrogë

05/07/2016 00:00

Autoritetet ligjzbatuese në Rumani kanë sekuestruar këtë muaj mbi 2 tonelata kokainë, duke shënuar kështu sasinë më të madhe të kapur ndonjëherë në vend.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ballkanase, sipas të cilave kokaina ka një vlerë prej 625 milionë eurosh dhe është gjetur e fshehur në arka me banane teksa po i nënshtroheshin kontrollit në portin e Kostancës, në Detin e Zi.

Sekuestrimi, i realizuar më 1 korrik por i publikuar vetëm së fundmi, ka qenë rezultat i një operacioni hetimor 6-mujor ku janë përfshirë autoritetet ligjzbatuese të Rumanisë, Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara.

Mbi 150 oficerë policie dhe agjentë të infiltruar kanë qenë të përfshirë në këtë operacion, gjatë të cilit janë arrestuar 4 shtetas lituanezë dhe 1 kolumbian.

Ata akuzohen për ngritjen e një rrjeti trafiku të organizuar që ka vepruar në periudhën prill-qershor 2016, me qëllim futjen e sasisë së madhe të kokainës në Rumani.

Më pas ata do të përdornin një magazinë të marrë me qera në lokalitetin rumun të Kostancës, për të nisur prej andej shpërndarjen drejt vendeve të Europës perëndimore.

Droga ka udhëtuar nga Kolumbia drejt Europës e fshehur në konteinerë të ndryshëm, për t’i shpëtuar kontrolleve standarde.

Një i dyshuar i gjashtë, një shtetas maroken me pseudonimin “Rocky”, u arrestua më 29 qershor në Spanjë, teksa përpiqej të largohej nga vendi. ai dyshohet të jetë dhe koka e këtij operacioni narkotrafiku.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel