Samiti i Parisit, Rama takon Hollande

04/07/2016 00:00

Para pjesëmarrjes në samitin e Parisit, që zhvillohet në kuadër të nismës së Berlinit, kryeministri Rama është pritur në një takim nga presidenti francez Francois Hollande.

Takimi është zhvilluar në pallatin Elize dhe në fokus ka patur marrëdhëniet mes dy vendeve, me theks të veçantë tek ato në fushën e ekonomisë.

Në samitin mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe BE-së, pritet që Unioni të caktojë një sërë fondesh për të investuar në infrastrukturën e vendeve të rajonit.

Kryeministri Rama ka patur edhe nje takim me komisionerin Hahn, me të cilin ka folur në lidhje me procesin e reformave në Shqipëri.
Në këtë samit ku merr pjesë edhe Shqipëria synohet afrimi sa më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke stimuluar bashkëpunimin mes vendeve, por edhe duke financuar projekte konkrete në infrastrukturë.

Në Paris do të nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, nismë kjo e kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Serbisë.

Ajo do të ketë selinë në Tiranë dhe Komisioni Europian do të japë 1 milion euro, ndërsa do të paraqitet edhe skema e re pilote për 5 nëpunës civilë të rinj nga çdo vend i rajonit.

Në këtë samit pritet të miratohen projektet për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit Tiranë-Rinas. Po ashtu, edhe projekti hekurudhor i Serbisë dhe ai i Kosovës.

Top Channel