Mimoza Hafizi: Presidentin ta zgjedhë populli

04/07/2016 13:15

Mimoza Hafizi deklaroi se një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë (Arta Dade, Luljeta Arapi, Agron Duka, Dashamir Shehi, Eduard Selami, Nard Ndoka, Tahir Muhedini, Vangjel Dule, Ben Blushi dhe vetë Mimoza Hafizi), kanë shpallur një nismë për ndryshimet kushtetuese nëpërmjet të cilës zgjedhjen e Presidentit t’ia japin popullit.

“Kjo kushtetutë ia jep të drejtën vetëm partive që të vendosin për presidentin dhe qytetarëve u mohohet e drejta. Kjo e kthen Presidentin e Republikës në një figurë të dobët. Shqipëria ka vuajtur shumë nga marrëveshjet e partive, që nuk kanë sjellë më shumë demokraci apo mirëqenie. Vendimet e tyre as nuk diskutohen e as nuk ankimohen”, deklaroi Hafizi.

“Kemi propozuar që presidenti të zgjidhet nga populli, ashtu si në SHBA, Francë, Brazil, Poloni apo Rumani. Kemi nisur një peticion elektronik në change.org. Këtë peticion e kanë firmosur rreth 8000 shqiptarë. Çdo firmë është goditje për sistemin aktual politik”, shtoi Hafizi.

Top Channel