Australi, rezultati i ngushtë i zgjedhjeve thellon krizën

03/07/2016 00:00

Australia nuk do të marrë vesh rezultatin e zgjedhjeve federale edhe për disa ditë, ndërsa vazhdon numërimi i votave për ato vende në Parlament, që duket se do të luftohen deri në votën e fundit.

Janë ende në dyshim 12 nga 150 vendet e Dhomës së Ulët, pasi numërimi i votave të hedhura para nisjes së procesit zyrtar dhe atyre me postë do të rinisë të martën. Komisioni Zgjedhor australian tha se, deri tani, laburistët kanë marrë 71 vende, ndërsa koalicioni liberal-kombëtar 67.

Të pavarurit dhe partitë e vogla kanë marrë gjithashtu një numër të paprecedentë votash. Kryeministri australian, Malcolm Turnbull tha se pret që të arrijë numrin prej 76 vendesh në Dhomën e Ulët të Senatit, aq sa duhen për të formuar një administratë të re.

Analistët presin që koalicioni i Turnbull t’i afrohet më shumë formimit të një qeverie, por me një Parlament të ndarë, pasi asnjë parti nuk do të marrë shumicën absolute. Në një rast të tillë, Turnbull dhe kreu i laburistëve, Bill Shorten, do të kenë mundësinë që të formojnë një qeveri duke bërë koalicion me të pavarurit dhe partitë e vogla. Gjatë një fjalimi pas zgjedhjeve, Shorten deklaroi se koalicioni aktual i kryeministrit e kishte humbur të drejtën për të qeverisur.

Në zgjedhje u votua për 150 anëtarët e Dhomës së Ulët dhe 76 të Senatit, hera e parë në dekada që në Australi votohet për të dyja dhomat. Votimi është i detyrueshëm në këtë vend, por ekspertët thonë se këto zgjedhje duket se nuk do të sjellin ndryshim radikal, pasi askush nga forcat politike nuk siguron dot shumicë.

Kjo do të sjellë shumë bisedime për koalicion si në të shkuarën dhe, edhe në rast të krijimit të një shumice, ajo do të jetë një objektiv i lehtë sulmesh nga rivalët.

Top Channel