“Brexit”, të moshuarit në Blackpool nuk pendohen

01/07/2016 00:00

Shumë u penduan për votën e hedhur pro shkëputjes nga Bashkimi Europian, por banorët e Blackpoolit në Veriperëndim të Anglisë nuk e kthejnë kokën prapa. Dikur një vend që ofronte shëtitje magjepsëse buzë detit, ai është sot vetëm një hije e rregjur e së shkuarës, i vizituar vetëm nga pushues të moshës së tretë.

Fitorja e kampit kundër qëndrimit i detyrohet në masë të madhe zemërimit ndaj valës së emigracionit dhe kufijve të lirë të Europës, ndikimi i të cilave ka qenë i madh mbi shërbimet lokale anembanë vendit. Njerëzit këtu nuk ndiejnë asnjë grim pendese, edhe shumë në kryeqytet i akuzojnë për intolerancë ndaj kulturave të tjera.

“Epo, Londra është ndryshe nga ne apo jo? Atje ka shumë të pasur, ama nuk përzihen me të ardhurit. Nuk bien në kontakt me ata, siç na ndodh neve këtu. Në qytetin tim ka pasur përdhunime, vjedhje, tentativa për vrasje, gjëra që më parë nuk ndodhnin. Nuk e thonë gjithmonë, por janë të huajt ata që i bëjnë”, tha Eddie Glynn, banor i Blackpool.

Shëtitorja kryesore buzë detit është ristruktuar pjesërisht me paratë e BE-së, por kjo nuk mjaftoi për të fituar zemrat e banorëve të Blackpoolit, të përballur me vite të tëra masash antikrizë, humbje të vendeve të punës dhe një shkëputje në rritje nga politikat në “Westminster”.

“Cameroni bënte çfarë thoshte BE-ja. Nuk donte të na përfaqësonte neve këtu në Veri. Ishte vetëm për ata në Londër”, tha Carol Dobson, banore e Blackpool.

Fitorja e kampit për largim në këtë zonë shihet praktikisht si revoltë e klasës punëtore kundër bizneseve të mëdha dhe elitës politike.

Top Channel