Përmbytjet në Virxhinia, Obama shpall gjendjen e jashtëzakonshme

26/06/2016 00:00

Presidenti Barack Obama shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Virxhinian Perëndimore, ku përmbytjet më të mëdha të 100 viteve të fundit morën të paktën 24 jetë njerëzish.

Pas një kërkese të guvernatorit Earl Ray Tomblin, shefi i Shtëpisë së Bardhë urdhëroi zhbllokimin e ndihmës federale për 3 prej 4 konteve më të prekura nga moti ekstrem.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Kombëtar, stuhia e fuqishme e përplasur mbi Virxhinian Perëndimore solli brenda një ditë të vetme reshje të barazvlefshme me 1/4-tën e totalit vjetor. Falë ndihmës federale, banorët tani do të kenë mundësi të përfitojnë fonde për strehim të përkohshëm dhe riparime.

Shirat e rrëmbyer të së enjtes bënë që niveli i përrenjve e lumenjve të rritej ndjeshëm, çfarë solli izolimin e disa qyteteve. Vërshimi i ujit nuk ishte i vetmi problem, me të cilin u përballën vendasit. Në disa zona pati edhe rrëshqitje të mëdha toke. Një pjesë e mbi 100 shtëpive të shkatërruara u shkulën nga themelet, e uji i përmbytjeve i mori me vete. Plot 32 mijë banesa llogaritet të kenë mbetur pa energji elektrike.

Mes personave të shpëtuar nga ekipet e emergjencës ishte një grua 97-vjeçare dhe një familje prej 5 anëtarësh, mes të cilëve dhe një foshnje. Kërkimet vazhdojnë për njerëz të tjerë të bllokuar në zonat e goditura më fort prej stuhisë. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në 44 prej 55 konteve të këtij shteti, ku për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar edhe 500 ushtarë.

Top Channel